Site icon Telegrafi

Përgatituni për një derbi të nxehtë

Tensionet janë rritur, gjakrat janë ndezur dhe gjithçka është gati për një përballje epike mes këtyre dy skuadrave që synim kryesor kanë vetëm fitoren dhe as që duan t’ia dinë për humbje.

Peja është më se e motivuar për t’i dhënë fund epokës së bardhekaltërve dhe dominimit shumëvjeçar të tyre në basketbollin kosovar, kjo dëshmohet edhe me përforcimet e shumta që ka bërë kjo skuadër dhe me nivelin e lojës që po zhvillon tani.

Peja sonte nuk do t’i ketë dy qendrat Ersid Lucën dhe Blerim Mazrekun, të cilët janë të lënduar, ndërsa lojtarët tjerë janë të gjithë të gatshëm.

Prishtina do të shkojë në Pejë pa lojtarin e gjashtë të tyre, Plisat, pasi që Federata e Basketbollit të Kosovës ka marrë vendim që të mos i lejojë ata që të jenë të pranishëm në palestër.

Por, çfarë bënë ata për t’ia dëshmuar dashurinë e madhe dhe të paepur që kanë për klubin e tyre? Dje gjatë stërvitjeve të fundit përgatitore për super-derbin, Plisat si gjithmonë të organizuar, shkuan në numër të madh në sallën e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë dhe i përcollën së afërmi basketbollistët bardhekaltër, duke i motivuar ata deri në maksimum.

Të dyja skuadrat prijnë në tabelë me vetëm nga një humbje dhe ato të shkaktuara njëra-tjetrës. Tani, krejt çfarë mund të presim nga kjo ndeshje është një përballje jashtëzakonisht të nxehtë dhe luftë deri në frymën e fundit nga të dyja palët. /Telegrafi/

Exit mobile version