Muzikali i ‘Notre Dame de Paris’ që do të shfaqet më 23 nëntor në Pallatin e Kongreseve në Francë, këtë herë do të ketë një tjetër shije për shqiptarët. Elhaida Dani do të jetë Esmeralda e kastit të dytë të këtij muzikali.
Në një intervistë për programin e mëngjesit Wake Up në Top Channel, artistja e njohur ka treguar emocionet dhe vështirësitë.
“Jam shumë e lumtur për këtë rol. Që pas fitores në ‘The Voice of Italy’, kur u ula për darkë me Coccianten, ai më tha që ta merrja këtë rol të rëndësishëm në rikthimin e ‘Notre Dame de Paris’ në Francë, aty ku edhe ka lindur kjo histori e Viktor Hygosë. U ndjeva shumë e nderuar dhe fillova punën menjëherë”, ka thënë Dani, teksa ka shtuar se i është dashur të bëjë shumë audicione për të fituar mes shumë konkurrentëve të tjerë.
“Shkolla që unë kam bërë ka qenë muzikologia. Muzikalin e njihja, e doja shumë, por asnjëherë nuk kam pasur eksperienca me të, ndaj kur shihja në audicione profesionistë të kësaj fushe, pyesja veten: A do t’ia dal? U jam dedikuar plotësisht përgatitjeve. Kam pasur orë e orë me prova, në recitim, në gjuhën frënge, etj. Kam humbur madje 10 kilogramë”, ka treguar Elhaida duke qeshur.
E pyetur nëse muzikali do të jetë e ardhmja e saj, ajo ka thënë: “Këtë vit isha në Broadway ku pashë disa muzikale. U dashurova më tepër me këtë botë ku po hyj, por nuk besoj se muzikali do të jetë gjithë karriera ime. E shikoj më shumë si një trampolinë që do të më ndihmojë në karrierë. Me Coccianten dhe stafin tim kemi plane të tjera që nuk mund t’i zbuloj tani”.
Muzikali i ‘Notre Dame de Paris’ është përkthyer në disa gjuhë të botës dhe është luajtur në shumë shtete nga artistë të ndryshëm, por varianti origjinal i kastit që e ka interpretuar në vitin 2008 në Paris, me kompozimin e Riccardo Cocciantes është ai që mbahet mend më shumë.