Site icon Telegrafi

BE përgatit kundërmasa ndaj taksave amerikane për automjetet

Bashkimi Evropian (BE) po përgatit një listë të produkteve amerikane që mund të taksojë në rast të vendosjes së tarifave doganore për automjetet.

Këtë e ka konfirmuar Komisarja evropiane për Tregtinë, Cecilia Malmstrom.

“Ne po përgatitim me shtetet anëtare një listë me kundërmasa dhe e kemi shprehur qartë për partnerët tanë amerikanë”, theksoi Malmstrom gjatë një fjalimi para qendrës së analizës “German Marshall Fund”, në Bruksel, duke shtuar se “taksat e mundshme të Uashingtonit ndaj automjeteve të BE-së do të përbënin një shkatërrim”, përcjell Telegrafi.

“Kjo listë po përgatitet, por ajo do të bëhet në të njëjtën mënyrë si me çelikun dhe aluminin”, shtoi ajo.

Lexo po ashtu Evropa në kërkim të aleancave kundër Trump-it

SHBA-ja ka vendosur që prej fillimit të qershorit tarifa doganore prej 25 për qind për çelikun evropian dhe 10 për qind për aluminin, një vendim kundër të cilit evropianët janë përgjigjur menjëherë nëpërmjet masave kundër disa produkteve amerikane.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kërcënuar tashmë për taksimin në masën 20 për qind të importeve amerikane të makinave të prodhuara në BE.

Lexo po ashtu Lufta tregtare me SHBA-në, ul parashikimin e rritjes ekonomike të Evropës

“Masat e ngjashme me ato të çelikut dhe aluminit për automjetet do të ishin një shkatërrim”, paralajmëroi Malmstrom.

Komisionerja suedeze do të shoqërojë Presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, më 25 korrik, në Uashington, për të gjetur zgjidhje për tensionet tregtare me SHBA-në dhe për të avancuar për një agjendë tregtare të përbashkët pozitive. /Telegrafi/

Exit mobile version