Site icon Telegrafi

Përfundon takimi, asnjë marrëveshje mes pozitës dhe opozitës

Takimi i mbajtur në orët e vona sonte mes partive politike të pozitës dhe opozitës, pas disa orësh debate larg mediave, ka përfunduar pa marrëveshje lidhur me demarkacionin, ushtrinë, asociacionin dhe zgjedhjet.

Pas përpunimit të takimit, nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka bërë të ditur për KosovaPress se në takim nuk është arritur asnjë marrëveshje.

“Shumë gjatë është fol. Nuk kemi ndonjë marrëveshje”, tha shkurt ai.

Edhe Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje, ka bërë të ditur se në takim ka pasur shumë diskutime, por që Vetëvendosje i ka mbrojtur qëndrimet e veta.

Ai theksoi se demarkacioni duhet të tërhiqet nga ana e qeverisë, pastaj dialogu me Serbinë nuk duhet të shkojë në këtë mënyrë.

“Kjo është një format i dialogut të partive politike, i cili është prej vitit të kaluar edhe vazhdon në këtë mënyrë. Trajtohen natyrisht temat nëpër të cilat po kalon Kosova, proceset e ndryshme siç janë për shembull dialogu me Serbinë, demarkacioni, e çështje të tilla dhe mund të them që ne i shprehim qëndrimet tona aty. Subjektet politike i shprehin qëndrimet e tyre, të cilat i mbajnë si subjekte politike. Edhe për Lëvizjen Vetëvendosje për shembull, që e përfaqësova unë sonte është që sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, ai duhet të anulohet krejtësisht. Demarkacioni duhet të tërhiqet nga ana e qeverisë, pastaj dialogu me Serbinë nuk duhet të shkojë në këtë mënyrë, duhet të ndërpritet. Dhe zgjedhjet e reja do t’i hapnin rrugë zgjidhjes së krizës politike, nëpër të cilën po kalon Kosova”, tha Konjufca.

Bilall Sherifi nga Nisma, pohoi se nuk është arritur asnjë marrëveshje në takim dhe sqaroi se pat një tendencë nga partitë në pushtet, që çështjet të zgjidhen vetëm sipas këndvështrimit të tyre dhe jo sipas këndvështrimit opozitar.

“Ishte një takim mes partive në pushtet dhe të opozitës. Dhe pas gati tre orë bisedimesh, nuk pati ndonjë rezultat, ndonjë përafrim rreth këtyre çështjeve, siç janë demarkacioni, asociacioni, zgjedhjet, formimi i ushtrisë. Përkundrazi pat një tendencë nga partitë në pushtet që çështjet të zgjidhen vetëm sipas këndvështrimit të tyre dhe jo sipas këndvështrimit opozitar. Dhe natyrisht ne si parti opozitare refuzuam një qasje të tillë”, tha Sherifi.

Derisa përfaqësues të opozitës folën pas takimit, asnjëri nga përfaqësuesit e pozitës ishte gatshëm të deklarohet për media.

Ky është njëri nga takimet e radhës që pozita dhe opozita kanë mbajtur jashtë institucioneve të Kosovës, por që si më parë nuk kanë arritur të pajtohen për temat e shtruara, pasi dallimet mes tyre kanë qenë të mëdha. Kjo është hera e parë, ku në takim u diskutua edhe çështja e transferimit të FSK-së në ushtri. /kp/

Exit mobile version