Telegrafi

Përfundon seria e fitoreve për Tottenhamin

Vendasit kaluan në epërsi që në minutën e parë të ndeshjes me golin e Jermain Defoe, mirëpo ky gol ishte gjithçka që ata shfaqën në këtë takim.

Jermain Defoe kaloi vendasit në epërsi. Foto: AP

Kampioni në fuqi i Ligës Premier barazoi rezultatin me anë të veteranit Ryan Giggs (25’), ndërsa pa përfunduar pjesa e parë (41’) mysafirët kaluan në epërsi me golin e Anderson.

Edhe pse nga minuta e 59-të Djajtë e Kuq mbetën me një lojtar më pak në fushë, pasi Paul Scholes u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë, ata jo vetëm që mbrojtën rezultatin por arritën të shënojnë sërish.

Përjashtimi i Paul Scholes me karton të kuq. Foto: AP

Rezultatin përfundimtar në ndeshje e vendosi sulmuesi anglez Wayne Rooney, i cili shënoi golin e tretë për Manchesterin (78’).

Me këtë fitore United pozicionohet në vendin e dytë me pikë të barabarta me rivalin e qytetit Manchester City dhe Tottenham Hotspur, ndërsa ka tre pikë më pak se vendi i parë të cilin e mban Chelsea.

Wayne Rooney vendosi rezultatin përfundimtar. Foto: Reuters