Site icon Telegrafi

Përfundon seanca në Kushtetuese, ditëve në vijim vendoset për fatin e Qeverisë Hoti

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka përfunduar seancën dëgjimore për rastin e votës së deputetit Etem Arifi për Qeverinë Hoti.

Në këtë seancë e cila u mbajt online dhe zgjati për më shumë se 3 orë, u dëgjuan argumentet e palëve si dhe u parashtruan pyetje nga gjyqtarët e gjykatës.

Kryetarja e gjykatës, Arta Rama-Hajrizi njoftoi se kur gjykata të marrë vendim, palët do të njoftohen.

“Këto argumente ose argumentet plotësuese që dëgjuam sot, mund të përmbledhjen dhe të dorëzohen me shkrim deri më datën 7 dhjetor në Kushtetuese. Përmes kësaj seance, gjykata ka precizuar qëndrimet e të gjithëve. Porsa gjykata të marrë vendim, do të njoftohen palët. Kur të bëhet vendimi i shkruar u dërgohet të gjithëve. Palët do të njoftohen me kohë”, u shpreh Rama Hajrizi.

Ajo shtoi se në ditët në vijim Gjykata do të mblidhet për seancën për këshillim dhe votim ku do të vendos për çështjen. /Telegrafi/

Exit mobile version