Site icon Telegrafi

​Përfundon seanca gjyqësore ndaj ministres Rozeta Hajdari

Pas mbi tri orësh ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për aksidentin ku kishte goditur me veturë një fëmijë.

Seanca e radhës pritet të mbahet të premten.

Pas seancës gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, e cila ishte e mbyllur për media dhe publikun, ministrja Hajdari refuzoi të deklarohet sa i përket seancës së sotme.

“Seanca është e mbyllur, kërkoj ndjesë. Punë të mbarë”, tha Hajdari, raporton KosovaPress.

Ndërkaq, avokati i palës së dëmtuar, Florim Shefqeti theksoi se ekspertët kanë konstatuar në ekspertizë që automjeti i parkuar kur ka ndodhur aksidenti ka penguar shikimin, ndërsa e pandehura ka deklaruar se ka parë fëmijët duke dalë nga marketi.

Sipas tij, prej daljes nga marketi deri tek rruga është një distancë fizike për të cilën dyshojmë se në kushte normale është dashur që të ketë reagim nga secili drejtues i automjetit.

“Seanca ka vazhduar pa praninë e mediave… Seanca e radhës është caktuar për të premten në orën 14:00. Sot gjatë seancës është bërë marrja në pyetje të ekspertëve, fillimisht nga ana e avokatit të Hajdarit, pastaj nga ana jonë. Fillimisht ajo që ekspertët kanë deklaruar ka qenë ajo që është parë në ekspertizë, sepse gjithherë ekspertët në parim mbështesin ekspertizën që ata kanë konstatuar. Normalisht, edhe ne kemi pas vërejtjet dhe sugjerimet në raport me moskonstatimin e gjendjes teknike të automjetit. Ajo që është thënë nga ekspertët, kjo ka qenë detyrë e Policisë së Kosovës që të bëhet kontroll teknike e jashtëzakonshme në rastet kur ka aksidente. Në këtë rast, sic është edhe konstatuar në raport të Policisë nuk ka pas fare gjurmë të frenimit dhe kjo është konstatuar edhe nga ekspertët në ekspertizën e dytë. Ekspertët kanë konstatuar në ekspertizë që prej kohësh se automjeti i parkuar ka penguar shikimin, ndërsa e pandehura ka deklaruar se ka parë fëmijët duke dalë nga marketi. Pra, prej daljes nga marketi deri tek rruga është një distancë fizike për të cilën dyshojmë se në kushte normale është dashtë që të ketë reagim nga secili drejtues i automjetit, në rastin konkret nga Hajdari”, tha Shefqeti.

Ndërsa, avokati i ministres Hajdari, Shemdi Bunjaku në seancën e kaluar kishte kërkuar që seanca të mbahej e mbyllur për publikun me arsyetimin se ka të bëjë me rastin e aksidentit të të miturës, kërkesë kjo që u aprovua nga Gjykata.

Më 10 prill të vitit 2022 një aksident kishte ndodhur në lagjen “Arbëria” në Prishtinë ku ishte aksidentuar një fëmijë, në këtë aksident ishte e përfshirë Ministrja e Industrisë, Ndërmarrsisë dhe Tregtisë, Hajdari. Aksidentin në fjalë e kishte konfirmuar edhe policia.

Exit mobile version