Në seancën e sotme plenare, në disa pika të rendit të ditës nuk ka pasur kuorum në mungesë të deputetëve.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca disa herë ka ftuar deputetët në sallë, duke përdorur edhe zilen.
Kështu ka ndodhur edhe gjatë votimit të vendimit të Qeverisë për hartimin e planit hapësinor të Kosovës, për çka nevojitej prezenca edhe e një deputeti.
Konjufca derisa kërkonte “deputetin e artë”, në sallë është paraqitur Avdullah Hoti.
“60 deputetë jemi, na duhet deputeti ‘i artë’… E provojmë edhe mekanizmin e ziles a po funksionon… Zotëri Hoti, ne thamë që kush është deputeti i 61-të është ‘i artë’. Por, nëse e ke dëgjuar në televizor, nuk numërohet”, është shprehur ai, derisa kanë shpërthyer të qeshurat në Kuvend.
Në mungesë të deputetëve në sallë, ka përfunduar edhe seanca e sotme. Kryetari Konjufca tha se nesër në orën 09:30 do të votohet anëtari i Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit. /kp/