Telegrafi

Përfundon seanca e Kuvendit pa ndonjë konkludim për dy interpelancat

Kuvendi i Kosovës ka përfunduar seancën, ku në interpelancë kishte ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, lidhur me themelimin e ndërmarrjes së re energjetike të Kosovës.

Partia Socialdemokrate, e cila e ka thirrur këtë interpelancë, ka paraqitur disa rekomandime në formë, ku Kuvendi do të kërkonte nga Qeveria që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani lidhur me regjistrimin e kësaj ndërmarrje të re energjetike.

PSD tha se Kuvendi duhet të kërkonte nga qeveria dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik që të ndërpresë të gjitha veprimet e ndërmarra deri tani në lidhje me regjistrimin e ndërmarrjes së energjetike të Kosovës, derisa Kuvendi të vendosë për garantim të marrëveshjes komerciale në mes të kompanisë Contur Global dhe Qeverisë së Kosovës për termocentralin Kosova e Re.

Në këtë seancë i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj i cili u bëri thirrje deputetëve që të përkrahin, siç tha ai, krijimin e mundësisë për prodhim të energjisë elektrike në Kosovë.

Ai tha se Kosova nuk duhet të mbetet vetëm konsumuese, dhe të vazhdojë të blejë energji nga Serbia.

Kuvendi nuk arriti të harmonizojë ndonjë rezolutë apo diçka të ngjashme, dhe prezenca e deputetëve në sallë ishte në numër të vogël./kp/