Site icon Telegrafi

Përfundon seanca gjyqësore ndaj Dardan Molliqajt, flet avokati i tij

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Avokati i Dardan Molliqajt, Arbër Rexha ka thënë se kërkesa e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ka qenë e pakuptueshme dhe e paqartë.

“Për mbrojtjen ka qenë pak e paqartë dhe e pakuptueshme kërkesa e Prokurorisë ngase në të pretendohej rreziku i ikjes dhe gjithashtu është pretendu se Molliqaj ka qenë në arrati”, ka thënë Rexha, transmeton Kallxo.com.

I njëjti ka thënë se arrestimi i Molliqaj ka qenë në mënyrë kundërligjshme.

Sipas tij gjatë arrestimit nuk janë përfillë dispozitat ligjore të cilat, sipas avokatit, janë të parapara në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

“Si rrjedhoja e kësaj janë cenu edhe të drejtat e garantuara me kushtetutë sic është e drejta e sigurisë dhe lirisë”, ka thënë Rexha.

Po ashtu, avokati i Molliqaj ka njoftuar se vendimi nga Gjykata pritet që të merret sot.

Kreu i PSD-së, Molliqaj është arrestuar nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Të njëjtën vepër penale dyshohet se e ka kryer edhe aktivisti i të njëjtës parti, Adem Megjuani.

Sipas Policisë, Molliqaj dhe Megjuani kanë sulmuar katër zyrtarë policor, ku tre nga ta kanë pësuar lëndime trupore.

Molliqaj dhe Megjuani janë arrestuar para dy ditësh.

Molliqaj është arrestuar gjatë mbrëmjes së 1 shkurtit nga Njësitë Speciale të Policisë.

Arrestimi ka ndodhur para selisë së një televizini ku ai do të merrte pjesë në një debat.

 

Exit mobile version