Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), është duke u zhvilluar procesi i rinumërimit të disa vendvotimeve të caktuar pas vendimit të PZAP-së, pas ankesave të parashtruara nga kandidatët të subjekteve të ndryshme politike.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi në një prononcim para mediave, tha se ka përfunduar rinumërimi i votave me kusht dhe atyre me postë për kandidatët e AAK-së.
“Dje kemi filluar me numërimin e votave me kusht dhe sot në mesditë kemi përfunduar edhe numërimin e votave që kanë ardhur nga jashtë vendit. Kështu ka qenë vendimi i PZAP për të rinumëruar vetëm votat e kandidatëve të subjektit politik AAK”, tha Elezi.
Ai shtoi se KQZ është duke numëruar vendvotime të tjera sipas vendimeve të PZAP.
Elezi tha se janë 134 vendvotime që kanë shkuar në rinumërim me vendim të PZAP-së, dhe 7 të tjera janë me vendim të KQZ, që në total janë 141 vendvotime.
Ai shtoi se ky proces pritet të përfundoj së shpejti. /Telegrafi/