Site icon Telegrafi

Përfundon regjistrimi i bujqësisë, por pa veriun

Regjistrimi për bujqësinë, i cili ka filluar më 1 nëntor, ka përfunduar të enjten, por ende mbetet sfidë për posedimin e saktë të të dhënave për bujqësi në Kosovë, pasi komunat në veri kanë refuzuar të përfshihen në këtë proces. Komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e bujqësisë, i cili ka përfunduar të enjten.

Mospërfshirja e këtyre komunave në regjistrimin e bujqësisë do të shkaktojë pasoja negative, pasi Kosova nuk mund të ketë pasqyrë të saktë të gjendjes reale të bujqësisë, duke bërë kështu që orientimi i zhvillimit të bujqësisë në komuna mos të ketë strategji të duhur të zhvillimit.

Zyrtarja për Informim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Hazbije Qeriqi, ka deklaruar për gazetën “Epoka e re” se, edhe pavarësisht që ASK-ja i ka bërë të gjitha përgatitjet për ta kryer regjistrimin e bujqësisë në tërë territorin e vendit, nuk ka pasur regjistrim në veri.
“Në fillim bashkëpunimi me këto komuna ka rrjedhur normalisht, janë formuar komisionet komunale të regjistrimit, janë rekrutuar mbikëqyrësit dhe kontrollorët për regjistrim për atë pjesë të Kosovës, sikurse edhe në të gjitha komunat e tjera. Pastaj puna ka ngecur gjatë rekrutimit të regjistruesve, që ka qenë kompetencë e komunave”, ka thënë ajo.

Edhe profesori i Bujqësisë, Imer Rusinovci, është shprehur se mospërfshirja e komunave në veri të Kosovës në regjistrimin e bujqësisë do të ndikojë që statistikat bujqësore mos të jenë të sakta. “Regjistrimi i bujqësisë përfundon me statistika jo të sakta dhe do të ketë të dhëna improvizuese”, ka thënë ai. Sipas Rusinovcit, kriza politike në vend është indikator i kësaj dhe se Qeveria e Kosovës është dashur ta udhëhiqte një politikë tjetër në mënyrë që të përfshiheshin edhe komunat veriore. “Çdo punë që bëhet është për një rezultat dhe nëse rezultati nuk del i saktë, atëherë edhe vërtetësia nuk është e saktë”, është shprehur Rusinovci. /Telegrafi/

Exit mobile version