Ka përfunduar protesta kundër ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Prishtinë, e cila ishte organizuar nga ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Binak Gashi.
Në protestë ka pasur mospajtime mes dy grupeve të protestuesve, një pjesë e protestuesve kanë kundërshtuar ndërtimin e kësaj xhamie ndërkaq një pjesë tjetër e qytetarëve kanë thënë se xhamia duhet të ndërtohet, transmeton Telegrafi.
Protesta kishte filluar rreth orës 11:00, ndërsa protestuesit ishin të pajisur me maska mbrojtëse ndaj COVID-19.
Gjatë kohës sa u zhvillua protesta, një numër i konsiderueshëm i policëve kanë qëndruar në hyrje të vendit ku tashmë kanë filluar punimet për xhaminë.
Ndryshe, para disa ditësh, kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava ka thënë se për një kohë të shkurtër do të përfundojë ndërtimi i xhamisë.
Projekti parashihet të kushtojë mbi 30 milionë euro dhe është i financuar nga Bashkësia Islame e Turqisë.
Ndërtimi i xhamisë parashihet të zgjasë rreth tri vite nga koha e fillimit të realizimit të projektit. /Telegrafi/