Telegrafi

Përfundon projekti i binjakëzimit të BE-së

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha se qëllimi i këtij projekti ishte fuqizimi i kapaciteteve administrative të kësaj ministrie. “Qëllimi i këtij projekti ishte fuqizimi i kapaciteteve administrative, për t’i realizuar prioritetet e sektorit, si dhe për t’i reformuar metodat e koordinimit, monitorimit dhe menaxhimit të fondeve të zhvillimit rural, që na vihen në dispozicion përmes zbatimit të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe përmes komponentit të ardhshëm të IPA-së për Zhvillim Rural”, tha ministri Stavileci.

Ndërsa, Franz Patschka, kryesues i këtij projekti, tha se objektivi i përgjithshëm i projektit ka qenë stimulimi i rritjes ekonomike, duke e ristrukturuar sektorin e bujqësisë, ushqimit, pylltarisë dhe atë rural, nëpërmjet zhvillimit dhe implementimit të politikave të reformuara të bujqësisë dhe zhvillimit rural. “Gjatë vitit të kaluar janë bërë mjaft zhvillime pozitive në administrimin e sektorit bujqësor dhe tanimë në masë të gjerë është kuptuar edhe programi mbështetës, monitorimi, vlerësimi, implementimi dhe kontrolli e politikave bujqësore dhe zhvillimit rural”, tha Patschka.

Projekti i binjakëzimit të BE-së ka filluar së implementuari në muajin gusht të vitit 2009-të dhe kohëzgjatja e tij ka qenë gjithsej 21 muaj. Gjatë kësaj kohe, zyrtarët e MBPZHR-së i kanë realizuar 10 vizita studimore me gjithsej 168 ditë pune, si dhe 3 praktika me nga 30 ditë pune në Slloveni, Hungari dhe Austri. Po ashtu, partnerët e binjakëzimit gjatë gjithë kësaj kohe i kanë mbështetur njësitë organizative të MBPZHR-së edhe me ekspertë të ndryshëm. /Telegrafi/