Site icon Telegrafi

Përfundon numërimi i votave nga diaspora – nesër shpallen rezultatet përfundimtare

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur numërimi i votave nga diaspora.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

“Në këto momente është përmbyllur edhe numërimi i votave nga jashtë Kosovës. Një falënderim i madh për qindra vajzat dhe djemtë e këtij vendi që u angazhuan me vullnet në këtë proces numërimi që kërkon tepër përkushtim, durim, energji dhe mbi të gjitha saktësi. Po ashtu, falënderim edhe për stafin tjetër që janë angazhuar kaq shumë këto ditë në QNR”, ka shkruar Elezi në Facebook.

Ai tutje ka shkruar se “KQZ-ja do të shpall të enjten rezultatet përfundimtare, në ditën e 18 pas ditës së zgjedhjeve, ashtu si më 2014 dhe 2017”.

“Pavarësisht kësaj, kjo është një kohë rekord për faktin se si në asnjë proces tjetër, kësaj radhe janë rinumëruar më shumë vendvotime (564) dhe janë numëruar më shumë se 32 mijë vota me kusht dhe rreth 57 mijë vota të ardhura përmes postës”. /Telegrafi/

Exit mobile version