Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur sot numërimi i votave të diasporës.
Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Sot në mëngjes kemi filluar me numërimin e votave që kanë ardhur përmes postës. Janë 56 mijë e 610 zarfe me fletëvotime që do të numërohen në QNR”, ka thënë Elezi.
Ai ka shtuar se mbrëmë në mesnatë është përmbyllur numërimi i votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.
Elezi theksoi e numri i votave me kusht dhe atyre me postë shënojnë fazën përfundimtare para se KQZ të shpall rezultatet përfundimtare për partitë politike dhe kandidatët që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit.
Ai ka shtuar se janë 45 tavolina aktive të numërimit në QNR, dhe po punojnë që sa më shpejtë të përfundoj numërimi i votave me postë.
Elezi tutje shtoi se me shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ nuk përfundon procesi zgjedhor, pasi që subjektet politike dhe kandidatët kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre në PZAP për rezultatin e shpallur nga KQZ./Telegrafi/