Telegrafi

Përfundon ndeshja dramatike në Tiranë: Partizani mposht Kukësin për ta fituar Superkupën e Shqipërisë

Foto: KF Partizani/Facebook

Partizani e ka fituar Superkupën e Shqipërisë, pasi e ka mposhtur Kukësin me rezultat 4-2 në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë.

Vendasit ishin të parët që kaluan në epërsi qysh në minutën e pestë me golin e shënuar nga Esat Mala.

Por, epërsisë Partizani nuk iu gëzua shumë, pasi Edis Malikji (35’) e riktheu në lojë Kukësin me një gol të bukur, e që më kaq përfundoi pjesa e parë.

Pjesa e dytë filloi edhe më mirë për mysafirët që e përmbysën rezultatin me golin e shënuar nga Emiljano Musta në minutën e 56-të.

Dy minuta para se të përfundonte koha e rregullt, Partizani e barazoi rezultatin me golin e shënuar nga Theophilus Solomon, duke bërë kështu që ndeshja të shkonte në vazhdime.

Vazhdimet ishin më shumë fatsjellëse për skuadrën nga Tirana që shënoi edhe dy gola të tjerë.

Brian Brown duket se e kishte ruajtur tërë energjinë për kohën shtesë, pasi në minutën e 94-të riktheu epërsinë për Partizanin, gjersa pesë minuta më vonë i dha goditje e fundit Kukësit për ta fituar kështu Superkupën. /Telegrafi/