Sot është mbajtur maratona humanitare e çiklizmit ‘Nënë Tereza 2017’, me moton ‘Shtegëtim i vogël, dashuri e madhe”.
Në këtë maratonë, shtegu i së cilës ishte i gjatë 75km, çiklistët u nisën nga fshati Letnicë deri në Prishtinë, për të arritur te SOS Fshati i Fëmijëve, për të cilët edhe ishte i destinuar.
Sipas përgjegjëses për mbledhjen e fondeve në SOS Fshatin e Fëmijëve, Albana Zogu, tha se meqenëse është java e shenjtërimit të Nënës Terezë, qëllimi ka qenë që përmes kësaj maratone të mbledhin donacione për fëmijët e SOS Fshatrave.
“Qëllimi ka qenë që ata të bëjnë një maratonë deri në Prishtinë nga fshati Letnicë aty ku Nëna Terezë kishte punu nëse nuk gaboj, për herë të parë, dhe të vijnë në SOS Fshatin e Fëmijëve, gjatë gjithë rrugës por edhe nga Vitia po ashtu të mbledhin donacione të ndryshme për fëmijët pa përkujdesje prindërore, të cilët janë në SOS Fshatin e Fëmijëve”, ka thënë Zogu.
Zogu ka theksuar se kjo maratonë humanitare është iniciativa e parë që vjen nga niveli komunal dhe shpreson se edhe akterët e tjerë, qofshin ato OJQ-të apo bizneset e ndryshme të shprehin gatishmërinë e tyre dhe të ndihmojnë ata që kanë nevojë për ndihmën e tyre.
Kjo maratonë është organizuar nga Komuna e Vitisë në bashkëpunim me Federatën e Çiklizmit të Kosovës, SOS Fshatrat e Fëmijëve të Kosovës në partneritet me USAID-in, Caritas Kosova, Sh.H.B “Nëna Terezë, KVRL, Q. Rinore, Bashkësinë Islame në Viti, Famullit e Letnicës, Stubllës E. dhe Binçes, AKV “Kemajl Azizi”, etj. /KosovaPress/