Site icon Telegrafi

Përfundon mandati i gjykatëses Markudova, Gjykata Kushtetuese në RMVmbetet me 6 gjykatës

Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut njoftoi se nga sot është duke punuar me gjashtë nga nëntë gjyqtarë për shkak të përfundimit të mandatit të gjyqtares Vangelina Markudova.

“Të mërkurën më 7 dhjetor është mbajtur seanca e fundit ku ka marrë pjesë gjyqtarja Markudova dhe më pas ka përfunduar detyrat e saj në Gjykatën Kushtetuese. Iniciativa e fundit për të cilën ka punuar Markudova dhe për të cilën është referuar në seancë ka të bëjë me Ligjin për paga dhe kompensime të tjera të personave të zgjedhur dhe të emëruar dhe për këtë çështje Gjykata Kushtetuese ka nisur procedurën, gjegjësisht ka shprehur dyshime për kushtetutshmërinë e nenit 22, i cili lejon shkarkimin e zyrtarëve apo ata që kanë dhënë vetë dorëheqjen për të marrë rrogë (apanazh) edhe pas përfundimit të mandatit”.

“Me rastin e pensionimit të gjyqtares Markudova, Gjykata Kushtetuese organizoi një ceremoni të përshtatshme gjatë së cilës gjyqtarët dhe punonjësit e falënderuan atë për kontributin dhe pjesëmarrjen aktive në punën e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Kushtetuese.

Vangelina Markudova punon aktivisht në gjyqësor që nga viti 1984, duke filluar si praktikante dhe bashkëpunëtore profesionale në Gjykatën Komunale të Gjevgjelisë, ku u zgjodh gjyqtare në vitin 1986. Në vitin 1996 është zgjedhur gjyqtare në Gjykatën Themelore Shkupi 1, ku nga viti 2007 deri në vitin 2013 ka vepruar në departamentin për krim të organizuar dhe korrupsion.

Më 21 nëntor 2013, ajo u zgjodh gjyqtare kushtetuese me propozim të Këshillit Gjyqësor, mandati i saj fillon më 7 dhjetor 2013 dhe përfundon më 7 dhjetor 2022./Telegrafi/

Exit mobile version