Telegrafi

Përfundon kuvendi i jashtëzakonshëm i FC Prishtinës – Rrahman Haradini blenë thuajse të gjitha aksionet, Remzi Ejupi largohet nga klubi

Sot (e enjte) është mbajtur Kuvendi i jashtëzakonshëm i FC Prishtinës, ku janë kryer disa transaksione të brendshme, me Rrahman Haradinin, i cili ka bërë thuajse të gjitha aksionet dhe tashmë është aksionari më i madh në klubin kryeqytetas.

Pas gati 20 viteve në krye të klubit më të trofeshëm kosovar, Remzi Ejupi është ‘dorëzuar’ dhe larguar nga Prishtina.

Ai së bashku me vëllain e tij, Naim Ejupi dhe mikun e tij Fikret Maqastena kanë vendosur t’i shesin aksionet e tyre gjatë Kuvendit të jashtëzakonshëm të mbajtur sot në zyrën e klubit, në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Remzi Ejupi largohet përfundimisht nga Prishtina

Është drejtori i përgjithshëm Artan Osmani, i cili në një prononcim për Telegrafin ka konfirmuar transaksionet e brendshme dhe blerjen e shumicës së aksioneve nga aksionari tjetër, Rrahman Haradini.

“Sot ka ndodhur një transaksion i brendshëm. Remzi Ejupi, Naim Ejupi dhe Fikret Maqastena i kanë shitur të gjitha aksionet që i kanë pasur në klubin e Prishtinës”, ka thënë fillimisht Osmani për Telegrafin.

Artan Osmani, drejtor i FC Prishtinës

“Shumica e aksioneve janë blerë nga Rrahman Haradini, i cili tashmë ka mbi 80 për qind të aksioneve, gati 90 për qind, ndërsa disa tjera të vogla janë blerë nga aksionarët tjerë”.

“Kuvendi ka shkuar i gjithi në rregull, janë nënshkruar dokumentet, janë pajtuar të gjithë të pranishmit dhe tani do të procesojme me punët tjera”.

Në fund, drejtori i Prishtinës konfirmoi se në klub kanë mbetur ende edhe pesë aksionerë tjerë të vogël që posedojnë pak më shumë se 10 për qind të aksioneve të klubit bardhekalter.

“Në klub ende janë edhe psë aksionarë tjerë: Hashim Deshishku, Ragip Mustafa, Hakif Gashi, Fatos Hoxha dhe Beqir Qerkezi”, përfundoi drejtori i Prishtinës.

Sipas burimeve të Telegrafit, Haradini tashmë është kryetar apo president i Prishtinës, Deshishku dhe Mustafa nën-kryetar dhe Qerkezi dhe Hoxha anëtar të bordhit. /Telegrafi/