Telegrafi

Përfundon Java Globale e Ndërmarrësisë

Me 33 aktivitete, 26 partnerë, 6 institucione e organizata mbështetëse dhe 1,300 pjesëmarrës ka përfunduar Java Global e Ndërmarrësisë e organizuar nën patronatin e Presidentes së Kosovës. Innovation Centre Kosovo – ICK për herë të dytë ishte nikoqire e Javës Globale të Ndërmarrësisë (Global Entrepreneurship Week – GEW) në Kosovë. Kjo javë u shënua përmes aktiviteteve të ndryshme të cilat i dhanë përkrahje frymës ndërmarrëse në Kosovë. GEW ka filluar me datën 17 nëntor dhe përfundoi të dielen, më 23 nëntor. Kosova ishte në mesin e 150 shteteve nga e mbarë bota që shënuan këtë javë.

Dita e katërt (20 nëntor) e GEW ka filluar me një punëtori të organizuar nga Scards, e cila është një kompani e suksesshme ndërkombëtare e themeluar në Kosovë. Gjatë punëtorisë, pjesëtarë të komunitetit të bizneseve të vogla në Kosovë kanë mësuar rreth “Brendimit dhe Dizejnimit”. Dita ka vazhduar me prezentimin e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë mbi “Mjetet për Zgjidhjen Alternative të Kontesteve për Ndërmarrësit”, ku qëllimi kryesor ka qenë vetëdijesimi i ndërmarrësve rreth përfshirjes së klauzolave të arbitrazhit në kontratat e tyre si dhe informimi i tyre për përparësitë e përdorimit të arbitrazhit. Në po të njëjtë ditë, Fondacioni MDA ka mbajtur një prezantim interaktiv mbi ‘fillimin, zhvillimin dhe rritjen e biznesit’.

Ndërsa Kosovo Diaspora – KD ka organizuar një takim virtuel me ekspertë kosovarë nga shumë vende të botës, ku është diskutuar se si mund të rritet bashkëpunimi i komunitetit ndërmarrës të diasporës në Kosovë. Dita është përmbyllur me takimin e Startup Grind, ku Fisnik Ismajli – krijuesi i NEWBORN-it, po ashtu dhe themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i kompanisë së suksesshme kreative Karrota, ka ndarë përvojat e tija jetësore gjatë 20 vjet punë në fushën e kreativës në ndërmarrësi.

Dita e pestë (21 nëntor) ka filluar me punëtorinë në “Strategjitë e Marketingut” të mbajtur nga Qendra për Ndërmarrësi dhe Zhvillim Ekzekutiv – CEED; në po të njëjtën ditë CEED ka mbajtur edhe një punëtori tjetër në temën “Teknikat e Shitjes”. Në Innovation Centre Kosovo – ICK janë prezantuar tri platforma dixhitale për bizense: 1. Goodwerp.com, 2. Solaborate.com, 3. Dygur.com. Fondacioni MDA ka organizuar një drekë rrjetizuese me komunitetin e ndërmarrësve të rinjë – Startups në Kosovë. Një nga ngjarjet më të rëndësishme ishte takimi i ndërmarrësve të suksesshëm Shqiptaro-Amerikan, organizuar nga Solaborate dhe ICK. Dita u përmbyll me takimin rrjetizues të ndërmarrësve të rinjë në American University in Kosovo – AUK, po ashtu, me fillimin e trajnimit të ICK-ë në programim për iOS, trajnim i cili është përkrahur nga British Council në Kosovë.

Dita e gjashtë (22 nëntor) ka filluar me pritjen e stafit të ICK-së, partnerëve dhe përkrahësve të GEW, nga kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari-Lila, në hapësirën e parë të krijimit në Kosovë – BONEVET. Dita ka vazhduar në një drekë pune në restoranin “Hani i Haraçisë”. Më pas është mbajtur Punëtoria për Ndërmarrësi, organizuar nga Jakova Innovation Centre dhe OJQ “She Era”. Përmbyllja e ditës është shënuar gjatë Bar Camp-it të dhjetë të organizuar nga Komuniteti Aktiv Qytetar. Së bashku me të ftuarit: Fatos Axhemi – ekonomist dhe drejtor ekzekutiv i Jakova Innovation Centre, Jeta Pajaziti – ndërmarrëse e re dhe Visar Lluka – biznesmen i suksesshëm, është diskutuar për ndërmarrësi, inovacion, sfidat dhe tejkalimi i tyre. /Telegrafi/