Telegrafi

Përfundon greva në ANP “Adem Jashari”, Gara thotë se nëntë punëtorëve iu suspenduan vetëm ID kartat

Ka përfunduar greva gjashtë orëshe e punëtorëve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Në një konferencë për media, zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara ka bërë të ditur se nuk ka pasur pengesa në realizimin e fluturimeve pavarësisht grevës.

Gara ka sqaruar edhe praninë e prestarëve të Njësisë Speciale në aeroport.

“Siç e dini ne kemi pasur të paralajmëruar grevën. Duke pasur parasysh se dje kemi pasur problem në kryerjen e detyrave nga punëtorët që nuk kanë qenë pjesë e grevës, sot janë paraparë të merren masa shtesë nga autoritet relevante”, ka thënë Gara.

Ajo ka shtuar se fluturimet që janë anuluar sot, vendimi për anulimin e tyre është marrë mbrëmë nga kompanitë ajrore.

” Anulimet e fluturimeve janë paralajmëruar që nga dita e mbrëmshme, për shkak të grevës, ndërkaq fluturimet që kanë qenë të paralajmëruar për sot janë realizuar sipas planit”, u shpreh zëdhënësja e aeroportit “Adem Jashari”.

Lexo po ashtu Greva në ANP "Adem Jashari", menaxhmenti "suspendon" nëntë punëtorë

Gara sqaroi për opinionin edhe vendimin për suspendimin e nëntë punëtorëve të aeroportit, ku bëri të ditur se ata nuk janë suspenduar nga puna.

“Nuk kemi pasur të bëjmë me suspendime, nëntë punëtorëve iu është suspenduar vetëm ID karta , iu është suspenduar qasja në zonat e sigurisë pasi që ata kanë marrë veprime joligjore në ditët paraprake, kështu që për mos cenimin e sigurisë i kemi marrë këto masa, ata nuk janë suspendua nga puna”, u shpreh ajo. /Telegrafi/