Filmi flet për një çift i cili për rrethana kohore dhe mentalitetit, janë mbyllur me vite në shtëpinë e tyre në një fshat. Ekziston një veprim negativ në traditën shqiptare, kur burri “e ikë” gruan, që në botën moderne do të ishte kidnapim. Ky veprim në shumicën e rasteve përfundon me martesë të çiftit.
Gjithçka ndryshon, kur një çift tjetër nga qyteti, kriminel ordiner, inskenojnë prishjen e veturës, afër shtëpisë, me qëllim që të futen brenda në shtëpi. Të dy çiftet kanë një qëllim, njëri primitiv, tjetri shumë logjik.
Filmi ka një zhanër dramë-triler dhe një ngjarje fiktive ku paraqitet mentaliteti shqiptar karshi diferencës gjinore, dhe në plan të parë qëllimit kryesore njerëzor – "Parasë".
Në film luajnë aktorët e mirënjohur si Bislim Muçaj, Edona Reshitaj, Besart Sllamniku dhe May-Linda Kosumovic.
Producentët e filmit Besart Sllamniku dhe Genc Berisha njoftojnë se xhirimet janë bërë në Kosovë.
Tash filmi është në fazën e fundit të montazhit të figurës dhe premiera pritet gjatë vitit 2013. /Telegrafi/