Site icon Telegrafi

Përfundon edicioni i parë i kampit për shkencë dhe teknologji “Junior Geeks”

Mëse 100 nxënës të shkollave të mesme nga Prishtina, Peja dhe Mitrovica (përfshirë mentorë e ligjërues) ishin pjesë e edicionit të parë të kampit për shkencë dhe teknologji “Junior Geeks”, të organizuar në Prevallë prej 29 Qershor deri më 1 Korrik.

Çdo vit, Fondi i Bursitëve për Inovacion (US Alumni Engagement Innovation Fund) i Departamentit Amerikan të Shtetit, ndanë një numër të limituar të fondeve për mbështetje të projekteve globale që kanë synim përparimin e shoqërisë. Këtë vit, Kosova ka ngadhënjyer si një ndër 70 projektet fituese (i vetmi nga Evropa Juglindore), në mesin e një mori idesh kreative dhe inovative nga e mbarë bota, duke fituar mbështetje financiare për zbatimin e programit “Junior Geeks”.

Pas 4 muajve të ligjëratave intensive sipas programit STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), në fusha si: programimi, robotika, siguria kibernetike, inteligjenca artificiale, blockchain, machine learning, hulumtim shkencor, programim i lojërave, ndërmarrësi etj, 90 nxënës të shkollave të mesme nga pjesë të ndryshme të Kosovës e patën rastin të aplikojnë njohuritë e fituara, gjatë tre ditëve plot energji, në Prevallën e bukur, pranë Prizrenit.

Sfida, ligjërata me përmbajtje të ndryshme teknologjike e shkencore, orientim në karrierë, lojëra, punë ekipore, joga, karaoke e shumë qejf, e karakterizuan edicionin e parë të kampit.

Të ndarë në 12 grupe, gjatë dy ditëve të para, nxënësit punuan në zgjidhjet teknologjike për problemet sociale, si dhe testuan imagjinatën tek sfidat “E ardhmja e teknologjisë nëpërmjet Inteligjencës Artificiale” dhe “Krijo një board lojë të re”.

“Junior Geeks” është nisma e parë e zbatuar nëpër shkollat e mesme, e cila materializon talentin e nxënësve në teknologji, inovacion, shkencë dhe ndërmarrësi, si dhe synon të ndikojë në përzgjedhjen e karrierave premtuese nga ana e nxënësve, me theks të veçantë drejtimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.

Programi është financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet Ambasadës Amerikane në Prishtinë dhe Innovation Centre Kosovo (ICK), i ndarë si shpërblim për grupin e tre bursistëve të përbërë nga Eldita Tarani, Shpend Lila dhe Zana Tabaku.

Nga tre komuna në të cilat u zbatua faza e parë e programit, organizatorët planifikojnë ta shtrijnë në tërë territorin e Kosovës, së shpejti.

Exit mobile version