Site icon Telegrafi

Përfundon debati për sekretarët e përgjithshëm të Kuvendit të Maqedonisë

Kuvendi përfundoi sot debatin për emërimin e pesë zëvendëssekretarëve të përgjithshëm të Kuvendit. Për këtë propozim të shumicës parlamentare, reagoi ashpër opozita maqedonase, e cila akuzoi qeverinë e Zaevit se në vend që të realizojë premtimet e bëra për qytetarët, ajo rritë funksionarët e saj.

Deputeti i OBRM-PDUKM-së, Dragan Danev, tha se Qeveria ende nuk rritë të ardhurat e mjekëve, profesorëve, pensionistëve, bujqve, por rritë vetëm të ardhurat e funksionarëve të LSDM-së dhe partnerëve të tyre, njofton Shenja.

Deputeti Danev deklaroi se me rritjen e numrit të zëvendës sekretarëve gjeneral dhe të nënkryetarëve të Kuvendit, bien në ujë të gjitha tezat e LSDM-së me të cilat ka akuzuar për 10 vite pushtetin e OBRM-PDUKM-së.

Nga ana tjetër deputetja e LSDM-së, Sllavica Shumanska – Miteva deklaroi se opozita akuzon për shpenzime LSDM-në, por nga ana tjetër keqpërdorë edhe vetë funksionet në Kuvend.

Edhe pse përfunduan diskutimet për këtë pikë, deputetët nuk votuan për këtë, për shkak se numri i të pranishmëve në sallë ishte më i vogël se 61 deputetë, dhe për këtë arsye kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, tha se për votim, do të ricaktoj seancën më datë 24 nëntor.

 

Exit mobile version