Nikol Merizaj regjistroi kohën 59 sekonda e 99 të qindta në garën e saj në kualifikueset e 100 metra stil i lirë në Rio 2016.
Notarja shqiptare, e cila garoi në baterinë e parë, u rendit në vendin e pestë duke lënë pas tri rivale. Edhe pse konsiderohet një provë pozitive, Merizaj nuk shënoi kohën e saj më të mirë në këtë disiplinë.
Notarja shqiptare, e cila ishte vendosur në korsinë numër dy e nisi me ritëm të lartë garën, duke qenë në grupin e kryesuesve, por në metrat e fundit rivalja nga Mali i Zi, Jovana Terzic, i rrëmbeu vendin e katërt për 40 të qindat e sekondës, transmeton SuperSport.
Koha e regjistruar nga Merizaj është thuajse shtatë sekonda larg rekordit Olimpik dhe tetë sekonda nga rekordi botëror.
E mbyll kështu eksperiencën në Rio 2016 një tjetër sportiste e delegacionit shqiptar, e cila e kishte siguruar pjesëmarrjen në Olimpiadë me ftesë pak javë para startit të eventit më të rëndësishëm të vitit në sport.