Telegrafi

Përfundon afati ligjor për ankesa për rrugën Shkup-Bllacë

Më 5 janar ka përfunduar afati 10-ditor i ankesave për procedurat e tenderimit. Ndërkohë, pas nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë duhet të fillojnë aktivitetet përgatitore për fillimin e punëve ndërtimore. Tenderin e ka fituar kompania “Granit”, e cila do të merret me pjesën e parë të autostradës Shkup- Bllacë për kompletim të korridorit 10-të.

Por akoma nuk dihen qartë detajet e këtij projekti, ku edhe përkundër kërkimeve në ueb faqen e Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore nuk gjetëm askund të figurojë ky projekt, ku do të duhej të tregoheshin financuesit, planet për fillim dhe përfundim të punimeve si dhe vlera e marrëveshjes.

Ish kryeministri Zoran Zaev, më 26 dhjetor të vitit të kaluar, në seancën për pyetje të deputetëve paralajmëroi se në tre muajt e parë, në kuartalin e parë të vitit 2020 do të fillojnë punimet e ndërtimit të autostradës Shkup-Bllacë.

Paraprakisht përfundoi ankandi elektronik për zgjedhjen e kompanisë e cila do të punojë në pjesën e parë prej dy kilometrash të kësaj rruge.

Tenderi paraprak pati dështuar për shkak se arriti vetëm një ofertë e cila e tejkalonte buxhetin për këtë projekt.

Pjesa e parë e autostradës, pritet të përfundojë për një vit e gjysmë, ndërsa për pjesën e dytë, duhet të përpunohet dokumenti projektues dhe pastaj të shpallet tenderi.

Ndërtimi i rreth 13 kilometrave të autostradës parashikohet të kushtojë rreth 110 milionë euro dhe sipas paralajmërimeve duhet të përfundojë në vitin 2023.

Këtë projekt partia shqiptare në pushtet e premton në disa cikle zgjedhore. Ishte ish zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi, i cili në prill të vitit 2014 para biznesmenëve të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, premtoi se nëse BDI fiton zgjedhjet partia e tyre do të punojë me përkushtim që të realizoj mes të tjerash edhe këtë projekt. Në nëntorin e po të njëjtin vit, ish ministri i ekonomisë, Bekim Neziri, në mesin e projekteve të përbashkëta me Kosovë, shpalosi edhe autostradën në fjalë në konferencën për Ballkanin Perëndimor që u mbajt në Vjenë. Projekti për ndërtimin e kësaj autostrade ishte premtim i BDI-së edhe në zgjedhjet që vijuan më pas./Shenja/