Përmes fotografive nga vendxhirimet dhe me fjalë falënderimi, Gal Gadot e ka shënuar përfundimin e xhirimeve të vazhdimit të dytë të “Wonder Woman”.
“Ia dolëm. Përsëri. Edhe pse xhirimi i filmit të parë ishte i pabesueshëm, kësaj radhe ka qenë akoma më i veçantë”.
“Kemi xhiruar në katër lokacione të ndryshme, në tri vende. Jam shumë krenare për afro një mijë pjesëtarët e ekipit tonë, ë cilët kanë ardhur secilën ditë në xhirime duke dhënë më të mirën nga vetja për këtë film”, ka shkruar mes tjerash aktorja në Instagram.
Ajo ka theksuar se xhirimet që kishin filluar në qershor të këtij viti, kanë përfunduar të dielën.
Një falënderim i veçantë ka shkuar për regjisoren Patty Jenkins, e cila sipas aktores, “të gjithëve u ka dhënë krahë”.
Filmi i ri që mban titullin “Wonder Woman 1984” është dashur të jepej premierë në verën e vitit 2019, mirëpo për shkak të ndryshimit të planeve është shtyrë për verën e vitit 2020.
Arsyeja kryesore është suksesi i madh i filmit të parë, i cili në verën e vitit 2017 kishte grumbulluar 817 milionë dollarë (715 milionë euro). /Telegrafi/