Telegrafi

Përfundojnë korrje-shirjet në Skenderaj, sivjet verë më e bereqetshme

Këtë vit fushata e korrje-shirjeve në Komunën e Skenderajt ka filluar në fillim të muajit korrik dhe ka përfunduar më datë 24 të po këtij muaji.

“Sipërfaqe të mbjellë me grurë në territorin e komunës së Skenderajt kanë qenë 6950 ha, me elb 360 ha dhe me tërshërë 1450 ha. Rendimentet mesatare për 1 ha grurë kanë qenë 4000 kg, për elb 2500 kg/ha, ndërsa për tërshërë 2100 kg/ha. Krahasuar me rendimentet mesatare të grurit për vitit e kaluar që kanë qenë 3000 kg/ha, del që vera e sivjetme ka qenë shumë më e bereqetshme, falë punës së fermerëve dhe kushteve më të favorshme meteorologjike”, thotë Hajriz Koci për portalin Veriu.info, zëdhënës i Komunës së Skenderajt.

Ai tregon se gjatë fushatës së korrje-shirjeve kanë qenë të angazhuara 102 autokombajna, ndërsa çmimi i korrjes, i rekomanduar nga MBPZHR në vlerë prej 100 eurosh për hektar, është respektuar nga autokombajnerët.

“Fushata e korrje-shirjeve ka përfunduar pa probleme të evidentuara, ndërsa fermerët kanë qenë të kënaqur me rendimentet e realizuara. Në këtë kuadër komuna e Skenderajt, përkatësisht DBPZHR, përmes komisionit përkatës ka monitoruar nga afër tërë procesin, duke dhënë rekomandime për fermerët dhe pronarët e autokombajnave”, thekson zëdhënësi Koci për portalin Veriu.info. /Telegrafi/