Ka përfunduar biseda mes presidentëve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, Vladimir Putin dhe Joseph Biden. Ajo zgjati dy orë.
Takimi u zhvillua me video-lidhje dhe ishte e mbyllur për publikun.
Gazetarëve iu tregua vetëm fillimi i takimit, i cili është i dyti mes liderëve të dyja vendeve. Ky i fundit ishte në Gjenevë në qershor të këtij viti, raporton cnn.
“Më vjen mirë që ju shoh sërish”, tha Biden, duke shprehur shpresën se takimi i radhës do të jetë live. “Ju përshëndes zoti President”, tha Putin duke buzëqeshur, i ulur në një tavolinë të madhe përballë një ekrani që tregon Biden.
Putin e zhvilloi bisedën nga rezidenca në Socchi, ndërsa Biden ishte në një dhomë të Shtëpisë së Bardhë të quajtur “Situation Room”, e cila është e mbyllur për mediat. Shtëpia e Bardhë nuk ndau foto nga fillimi i takimit, raporton nytimes.
Pas video-takimit me homologun e tij rus, Putin, Biden do të ketë biseda telefonike me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Biden do të zhvillojë bisedime me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelaren gjermane në largim, Angela Merkel dhe kryeministrat e Italisë dhe Britanisë së Madhe, Mario Draghi dhe Boris Johnson.
Shtëpia e Bardhë kujtoi se Biden bisedoi me këta liderë të hënën dhe u ra dakord që ata të mbeten “në kontakt të ngushtë”. /Telegrafi/