Site icon Telegrafi

Përfundoi seanca e radhës për grupin e Kumanovës (Video)

Në seancën gjyqësore për rastin “Kumanova” kanë dëshmuar të akuzuarit Kenan Iseini dhe Fadil Fejzullahu. Kenan Iseini nga Hotla e Kumanovës tha se në shtëpinë e tij natën mes 6 dhe 7 majit kanë ardhur grupi i armatosur prej 9 personave nga të cilët e ka njohur vetëm Andi Krasniqin nga viti 2001.

Sipas tij ata në shtëpinë tij janë vendosur edhe pse djemtë e tij i kanë kundërshtuar. Të nesërmen sipas tij në shtëpi kanë ardhur edhe tre persona të tij për t’i dërguar në Kumanovë. Iseini tha se njërin nga personat e njeh dhe e di se është inspektor në Policinë e Kumanovës, por nuk u ka thënë grupit pasi që i njëjti ishte dërguar nga Mirsad Ndrecaj dhe nuk ka dashur të ndërhyjë në mes tyre.

Iseini tha se i njëjti ka kërkuar nga ai që t’i mbanë në shtëpi edhe në natën mes 7 dhe 8 majit, por ky ka kundërshtuar. Sipas Kenen Iseini, ai më 9 maj në mbrëmje është kthyer në shtëpi nga ku edhe është arrestuar nga policia. Iseini tha se personi i njëjtë e ka kërcënuar edhe në polici pas arrestimit duke i thënë të mos e përmend emrin e tij.

Ndërsa i akuzuari tjetër Fadil Fejzullahu tha se ai grupin e ka gjetur në lagjen e Trimave dhe nga ata e ka njohur vetëm Sami Ukshinin. Fejzullahu tha se ka qëndruar me ta deri më 9 maj pasi që nuk ka dashur të jetë personi që do t’i pretë në besë. Ai tha se nuk ndjehet fajtor.

”Ju mund të më dënoni sa të doni por, janë të tjerët ata që duhet të jenë këtu për të thënë të vërtetën. Ju nuk keni asnjë dëshmi kundër meje, por nëse doni unë mund të qëndroj në burg pasi çdo herë peshku i madh e hanë peshkun e vogël” – tha i akuzuar Fadil Fejzullahu.

Avokati Naser Raufi thotë pas çdo seance është duke u zbardhur rasti i Kumanovës dhe se po del në shesh se policia ka ditur çdo lëvizje të grupit.

”Ministria e punëve të brendshme por, edhe njësitë speciale e kanë ditur jo vetëm lëvizjen e grupit por edhe qëndrimin , por edhe kanë marr pjesë në skenarin e lëvizjes së vetë grupit në Kumanovë. Grupi ka hyra në Maqedoni deri në Lagjen e trimave ka qenë i përcjell ku edhe MPB është i njoftuar edhe me të gjithë grupim ne emër dhe mbiemër dhe lëvizjen e tyre” – deklaroi avokati Naser Raufi.

Ndërsa avokati Ibrahim Bajrami tha se tash shihet se gjykata nuk është neutrale por përkrahë Prokurorinë.

”Gjykata është ana neutrale që nuk e ka të drejtë të përzihet dhe t’i sugjerojë prokurori kundërshtimet kur gjykatësi mendon se duhet të bëhet kundërshtimi” – tha për Alsat-M, avokati Ibrahim Bajarami.

Në seancën e sotme Rufki Dogani është ankuar se ka probleme shëndetësore me veshkat dhe se nuk merr mjekimin e duhur nga ana e mjekëve të spitalit. Seanca e ardhëshme është me 7 mars ku pritet të dëshmojë Irfan Lutfiu dhe Esat Kafigjolli./Telegrafi/

Exit mobile version