Site icon Telegrafi

Përfundoi gjykimi: 21-vjeçari pranoi fajin për aksidentin me vdekje që shkaktoi në Shkup

Ka përfunduar gjykimi për aksidentin e rëndë trafiku të një muaji më parë, kur mbeti i vrarë një fëmijë 10-vjeçar në bulevardin “Nikola Karev”, i njohur si rruga e “Plastikeve”. Kjo vjen pasi shoferi 21-vjeçar e pranoi fajësinë sot në Gjykatën Themelore Penale për veprën e kryer.

Shoferi tha në sallën e gjyqit se kishte ikur nga frika se mos rrihej.

“Më vjen shumë keq për atë që bëra. Më vjen keq për atë që bëra. Unë nuk mund të fle. E pranoj me vetëdije dhe vullnetarisht”, tha i akuzuari.

Prokurori publik Daniel Kocev nga Prokuroria Publike Shkup, në fjalën e tij përfundimtare, kërkoi që Gjykata të marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese me rastin e caktimit të dënimit, si dhe të veprojë në mënyrë parandaluese për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Më 12 tetor, drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i aksidentit me mjetin e tij “Mercedes”, ndërsa kalimtarët e afërt kanë tentuar të ndihmojnë viktimën. E pasuksesshme ka rezultuar edhe përpjekja e ambulancës për t’i rikthyer vetëdijen djalit, ndaj pasi është transportuar në qendrën e urgjencës, mjekët kanë konstatuar vdekjen e tij.

Disa orë pas aksidentit, policia njoftoi se ka gjetur shoferin i cili është larguar nga vendi i aksidentit dhe tashmë dyshohet për veprën penale të kundërvajtjeve të rënda në komunikacion me pasoja fatale.

Ai ka qenë duke vozitur me shpejtësi 76 kilometra në orë dhe me pjesën e përparme të mjetit ka goditur trupin e këmbësorit – fëmijë i lindur në vitin 2013, i cili si këmbësor po kalonte rrugën jashtë një vendkalimi të shënuar për këmbësorë. /Telegrafi/

Exit mobile version