Site icon Telegrafi

Përfundoi dita e katërt e diskutimit për Ribalancin e Buxhetit

Parlamenti i RM-së sot përfundoi me ditën e katërt, të parafundit, të diskutimit për ribalancin e Buxhetit të vitit 2017.
Në pjesën më të madhe të replikave të tyre deputetët e opozitës akuzuan shumicën parlamentare se po shkurton fondet për investime kapitale dhe sektorë kyç, si: shëndetësia, arsimi dhe policia, ndërsa deputetët e pozitës kthenin duke thënë se e vetmja gjë që shkurtohet janë shpenzimet joreale, përcjell Telegrafi Maqedoni.

‘Vitin e kaluar gjatë miratimit të buxhetit për pjesën e investimeve kapitale ishin paraparë 26 miliardë e 954 milionë denarë, ndërsa me ribalancin bie në 23 miliardë e 411 milionë denarë. Kjo nuk mund të konsiderohet shkurtim duke pasur parasysh se në gjysmën e parë të vitit janë realizuar vetëm 8,7 miliardë denarë nga 26 miliardët e planifikuara. Domethënë se ka shkurtim të investimeve kapitale që kanë dinamikë të ngadalshme të realizimit’, tha Jagoda Shahpaska, deputete e LSDM-së.

Nga OBRM-PDUKM, Vlladimir Gjorçev replikoi duke thënë se ka edhe shumë pjesë në të cilat janë bërë shkurtime edhe atë: 100 milionë më pak për zhvillimin rural, 12 milionë denarë më pak për objekte për mbrojtje të fëmijëve, 28 milionë denarë më pak për objekte për të moshuarit.

Diskutimi në Kuvend për ribalancin e Buxhetit të vitit 2017 do të vazhdojë nesër, kur sipas Rregullores duhet edhe të përfundojë dhe të vendoset në votim./Telegrafi/

Exit mobile version