Site icon Telegrafi

Zyrtare, Zoran Milanoviq është president i ri i Kroacisë

(E PLOTËSUAR) Presidenti i ri i Kroacisë është ish-kryeministri Zoran Milanoviq i Partisë Socialdemokrate të opozitës (SDP), tregojnë rezultatet e Komisionit Shtetëror Zgjedhor pas pothuajse të gjitha vendvotimeve të proceduara.

Ai mposhti presidenten aktuale, Kolinda Grabar-Kitaroviq të Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ) në pushtet, në raundin e dytë të zgjedhjeve.

Sipas KSHZ-së, mbi bazën e 99.54 për qind të vendvotimeve të numëruara, Milanoviq fitoi 52.69 për qind ose rreth 1,030,000 vota, dhe Grabar-Kitaroviq 47,31 për qind ose rreth 926,000, transmeton KosovaPress.

Kandidati i SDP mposhti kandidaten e HDZ në qytetet e mëdha kroate – Zagreb, Split, Rjekë dhe Osijek.

Në zgjedhje votuan 54.97 për qind e gjithsej 3.9 milionë qytetarëve me të drejtë vote.

Presidenti i ri i Kroacisë u lind në Zagreb në vitin 1966 ku u diplomua në juridik. Ai punoi në Ministrinë e Jashtme dhe Çështjeve Evropiane në vitet 1990, dhe pas vdekjes së Ivica Raçan në 2007, ai u zgjodh president i SDP, partia kryesore e qendrës së majtë të Kroacisë.

Ai drejtoi qeverinë e koalicionit të qendrës së majtë nga fundi i 2011 deri në fillim të vitit 2016. Pas humbjes së zgjedhjeve parlamentare kur ai nuk arriti të formojë një qeveri, dha dorëheqje si kryetar i partisë dhe iu përkushtua biznesit privat.

Milanoviq bëri fushatë nën sloganin “Normalisht, një president me karakter”, duke theksuar se do të luftonte padrejtësinë, dhunën, korrupsionin, do të mbronte të drejtat më të dobëta dhe të njeriut dhe do të mbronte barazinë e të gjithë qytetarëve.

Ai do të marrë presidencën e tij më 18 shkurt. /Telegrafi/

Exit mobile version