Site icon Telegrafi

Përfshirja e SHBA-së në dialog është e domosdoshme

Kërkesa e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është komentuar në mënyra të ndryshme nga analistët politikë.

Njohësi i çështjeve politike, Driton Lajçi, ka thënë për “Epokën e re” se është e nevojshme përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në fazën finale të dialogut të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë të përfshira në një mënyrë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sepse normalizimi i relacioneve ndërmjet këtyre dy vendeve nëpërmjet dialogut është një prej kritereve që janë vendosur edhe për Serbinë edhe për Kosovën. Pra, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka nxjerrë një rezolutë për fillimin e dialogut Kosovë – Serbi, e cila është mbështetur nga ShBA-ja. Por, tash paraqitet si nevojë që ShBA-ja të përfshihet në fazën finale të dialogut. ShBA-ja duhet të jetë në këtë dialog për faktin se finalja apo krejt brumi i këtij procesi duhet të jetë një material për një rezolutë në Këshillin e Sigurimit, e sponsorizuar nga ShBA-ja, në mënyrë që Kosova të jetë anëtare e OKB-së. Kështu e shoh rolin e ShBA-së dhe përfshirjen e tyre në fazën finale të dialogut”, ka thënë Lajçi.

Kurse njohësi tjetër i çështjeve politike Behxhet Shala ka deklaruar për “Epokën e re” se kërkesa për përfshirje të ShBA-së në dialog ka për qëllim mbulimin e dështimit të këtij procesi.

Por, sipas tij, ky proces nuk mund të arnohet as me ShBA-në, as me ekip të unitetit.

Exit mobile version