Një rrjedhje gazi ka qenë shkaku që sipas policisë është përfshirë në flakë një biznes në qytetin e Vlorës. Ngjarja ka ndodhur mesditën e kësaj të mërkure, në afërsi të bulevardit Vlorë-Skelë, në lagjen 28 nëntori.
Si pasojë e një rrjedhje gazi nga bombola që përdoret në kuzhinë, të ardhur nga brenda biznesit, është përfshirë në flakë një tavernë. Kanë qenë administratorët e vetë biznesit të cilët kanë lajmëruar forcat zjarrfikëse, raporton A2.
Efektivët e zjarrfikëses kanë mbërritur në kohë në vendin e ngjarjes duke bërë të mundur shuarjen e flakëve dhe duke parandaluar në këtë mënyrë përhapjen e tyre në biznesin në fjalë, por edhe bizneset aty pranë. Është shmangur në kohë edhe rreziku për që vjen nga bombola e gazit, e cila ka përfunduar në flakë. Në gatishmëri ishte edhe policia e Vlorës e cila ka bërë të mundur ruajtjen e perimetrit të sigurisë. shkruan A2.
Flakët e zjarrit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në biznes, por fatmirësisht konfirmuar nga policia e Vlorës nuk ka persona të lënduar. Efektivët e policisë, ndërkohë janë në vendngjarje duke mbledhur të gjitha provat për të bërë të mundur zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. /Telegrafi/