Telegrafi

Përfshihet në aksident trafiku, vetura e KFOR-it rrokulliset në rrugë (Video)

Një aksident trafiku ka ndodhur në mes të një veture të forcave të KFOR-it dhe një veture me qytetarë, në hyrje të Hanit të Elezit tek vendi i quajtur “Uji i Tharbët”.

Lajmin për aksidentin që ka ndodhur rreth orës 15:00, për Klan Kosovën e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi.

Ai ka treguar se në këtë aksident, përpos dëmeve materiale, persona të lënduar nuk ka, derisa policia gjendet në vendin e ngjarjes dhe po bën matjet e nevojshme.

Siç shihet në një video të siguruar nga Klan Kosova, si pasojë e përplasjes automjeti i ushtarakëve të KFOR-it është rrokullisur në rrugë.

Përplasje mes dy automjeteve ka shkaktuar edhe tollovi në këtë aks rrugor.