Rreth 200 hektarë me drunj dhe shkurre në fshatin Kçiq i Vogël në rajonin e Mitrovicës janë përfshirë nga zjarri.
Ekipet e zjarrfikësve nga jugu dhe veriu i Mitrovicës janë duke bërë punën e tyre rreth shuarjes së zjarrit.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se ekipet e shpëtimit po bëjnë çdo gjë që është e mundur për ta shuar zjarrin.
Sipas tij, zjarrvënia dyshohet të jetë bërë nga individë të caktuar, e cila ka filluar rreth orës 16:30.
“ Ekipet e shpëtimit të veriut dhe jugut të Mitrovicës janë duke bërë ç’është e mundur që të shuajnë zjarrin, i cili ka marr përmasa të mëdha duke iu afruar edhe shtëpive të banuara. Jemi duke kërkuar ndihmë edhe nga Prishtina po ashtu edhe nga KFOR-i”, ka thënë Dragaj. /Telegrafi/