Lionel Messi vazhdimisht është kritikuar për mungesën e sukseseve me Argjentinën, ndërsa në Kampionatin Botëror të vitit 2014 ishte shumë pranë që t’i heshtte kritikët.
Superylli i Barcelonës e frymëzoi kombëtaren e tij drejt finales së madhe, mirëpo atje humbi nga Gjermania me një gol të shënuar nga Mario Gotze në vazhdime.
Dhe duke qenë se i mungon titulli i botës me përfaqësuesen, vazhdimisht ekziston debati i pandërprerë nëse Messi duhet të konsiderohet ndër më të mirët apo më i miri në histori.
Nga lista e më të mirëve, ikona argjentinase, Diego Maradona, e ka fituar një herë Kupën e Botës; legjenda braziliane, Pele, plot tri herë është shpallur kampion bote me Brazilin, derisa rivali i tij, Cristiano Ronaldo, ka arritur sukses me Portugalinë duke e fituar Kampionatin Evropian dhe së fundmi Ligën e Kombeve.
Megjithatë, futbolli është një sport ekipor dhe madje as një superyll si Messi nuk më të luajë në standardin e lartë të një kampionati botëror, nëse 10 lojtarët tjerë rreth tij nuk e mbështesin maksimalisht.
Një video e performancës së 32-vjeçarit është bërë hit në rrjetet sociale, meqë tregon se paraqitja e tij ishte mbresëlënëse në ndeshjen kundër Gjermanisë në finale, ndërkohë që është etiketuar si një prej ndeshjeve më të dobëta në karrierën e tij.
Në videon e mëposhtme shihet angazhimi i Leo Messit, i cili e udhëheq spektaklin, por të njëjtën gjë nuk arrijnë ta bëjnë bashkëlojtarët e tij. /Telegrafi/
https://twitter.com/FlFAWC2018/status/1245742793726672897