Site icon Telegrafi

Performanca e Bregovicit në Korçë, Rama: Zjarri kinse patriotik i gushtit

(Foto: Panorama.al/Instagram/ediramaal)

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë një postim në rrjetet sociale lidhur me performancën e Goran Bregovicit në Korçë.

Prezenca e tij në Festën e Birrës nxiti reagime të shumta, sidomos nga Kosova, duke shkaktuar tërheqjen e këngëtarëve që duhej të performonin atje.

Me gjithë reagimet, të dielën mbrëma 71-vjeçari u ngjit në skenën e Korçës dhe performoi para pjesëmarrësve, por incidentet nuk munguan, pasi u hodhën tymuese që kishin nxitur edhe panik te të pranishmit, porse koncerti vazhdoi deri në fund.

(Foto: panorama.al)

Në një publikim në Facebook, Rama thekson se “Bregovici nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Milosevicit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi as me fjalë as me vepra”.

Lexo po ashtu Me gjithë polemikat, Bregovic u ngjit në skenë në Korçë, e nisi me “Kosovska”, nuk kaloi pa incidente, por performanca nuk u ndërpre

Më poshtë postimi i plotë i kryeministrit të Shqipërisë:

ZJARRI KINSE PATRIOTIK I GUSHTIT

“Një gazetare e mirënjohur shqiptare e Kosovës, e cila respektohet ndërkombëtarisht dhe kontribuon për tribuna prestigjioze të shtypit botëror, e tha shumë troç se Goran Bregoviçi nuk ka asnjë lidhje, me asnjë prej të zezave që iu faturuan nga zjarrnxitës mendjefikur, sa në Prishtinë dhe sa në Tiranë”.

“Por, muzikanti i famshëm nga Sarajeva, me baba kroat, nënë serbe dhe grua myslimane boshnjake, u kthye në një ‘kriminel serb’ që duhej djegur në zjarret e gushtit shqiptar, pavarësisht se as serb nuk është përveç të tjerash. Paçka se Bregoviçi nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Millosheviçit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi as me fjalë as me vepra, e vërteta as që kishte rëndësi. Rëndësi kishte zjarri i politikës qorre, e cila krijon armiq, ushqehet armiqësisht dhe jeton për armiqësinë – thënë aq bukur nga një prej zjarrnxitësve mendjefikur, ‘Më pëlqen ta dëgjoj Bregoviçin, po nuk shoh dot me sy Edi Ramën!’”.

“Askush, hiç askund, nuk e dha asnjë provë të vetme për ta justifikuar histerinë mesjetare që shpërtheu kundër një muzikanti nga më të jashtëzakonshmit e Ballkanit. Ishte një histeri fashiste, e turpshme për qytetarinë evropiane të shqiptarëve, për historinë dhe për traditën tonë po ashtu, e cila fatkeqësisht nuk dallonte aspak nga histeritë linçuese të grupeve fashiste kudo në botë”.

“Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i veshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht?”.

“Ndryshojnë vetëm në faktin se të parët shajnë e mallkojnë serbisht, ndërsa të dytët sharjet e mallkimet i lëshojnë në shqip. Të dyja palët i përkasin besnikërisht kategorisë së ulët njerëzore të urrejtësve të verbër, të cilës kjo botë i ka parë vetëm sherrin, kudo e kurdo që ajo ka arritur të imponojë mbi shoqërinë verbërinë e vet”

Exit mobile version