Site icon Telegrafi

Përforcohet Besa Famiglia

Pasi e ka kaluar rrethin e tretë të Challenge Cup, skuadra kryesuese e Superligës së Kosovës në hendboll, Besa Famiglia, thuaja se të gjitha synimet e saja i ka drejtuar në arenën ndërkombëtare, pasi duket se në kampionatin vendor ajo nuk ka ndonjë konkurrencë të denjë. Në këtë drejtim, skuadra pejane është duke u përforcuar, në mënyrë që sa më e gatshme ta presë ndeshjen e parë të rrethit të katërt me skuadrën portugeze, Aguas Santas Milaneza. Drejtuesit e skuadrës pejane kanë bërë të ditur se kanë arritur marrëveshje me hendbollistin malazez, Vladimir Stankoviq.

Besa me katër të huaj

Para fillimit të stinorit vjeshtor radhët e Besa Famiglias i kanë përforcuar Goran Bilajka dhe Ante Kukrika, ndërsa një edicion më herët në skuadrën pejane kishte ardhur portieri Daniel Dupjaçanec, ndërsa pas ardhjes së Stankoviqit, numri i të huajve që do të luajnë në Pejë do të jetë katër. Në një prononcim të drejtuesve të klubit pejan thuhet se ata janë të interesuar që të angazhojnë edhe disa hendbollistë të tjerë. “Ashtu siç është ne kemi vazhduar punën në angazhimin e lojtarëve, të cilët do ta ndihmojnë klubin ne realizimin e qëllimeve tona”, thuhet në njoftimin skuadrës pejane. Ndërkohë, bëhet e ditur se hendbollisti malazez do t’i bashkohet skuadrës më 8 janar. “Vladimir Stankoviq do të vazhdojë karrierën në qytetin edhe klubin më te trofeshëm të pas luftës në Kosovë, Besa Famiglia”, vazhdon njoftimi i skuadrës pejane, teksa thuhet se Stankoviq luan në pozitën e qendrës dhe se është hendbollist i cili i ka kaluar të gjitha seleksionimet e KH Lovçeni dhe të Reprezentacionit të Malit të Zi, ndërsa së fundi është angazhuar në KH Ulqini, ku është dalluar si një prej lojtarëve kryesorë të ekipit të tij, i cili është shpallur nënkampion vjeshtor në ligën e Malit të Zi.

Në biseda edhe me të tjerë hendbollistë

Skuadra pejane duket se nuk do të ndalet me kaq, pasi ajo synon që të përforcohet edhe më shumë, pasi bëhet e ditur se drejtuesit e kësaj skuadre janë në biseda edhe me disa hendbollistë të tjerë, në mënyrë që të jenë të përgatitur maksimalisht për sfidat me skuadrën portugeze, Aguas Santas Milaneza. Në fund thuhet se me këta hendbollistë, por edhe me Arben Muqollin, Enis Kastratin, Daniel Dupjaçanecin, Alban Dobroshin, Goran Biljakan dhe Ante Kukrikan, KH Besa Famiglia të na gëzojë me suksese tjera në garat evropiane.

Dy vjet në Pejë

I kontaktuar nga gazeta ‘Sport Plus’, Vladimir Stankoviq thotë se do të nënshkruajë kontratë dyvjeçare. “Më 8 janar do të mbërrij në Pejë, ndërsa pritet që të nënshkruaj kontratë dyvjeçare’, tha 20-vjeçari Stankoviq. /SportPlus/Telegrafi/ 

Exit mobile version