Telegrafi

Përfitojnë nga Egjipti

Sadi Hamid, ekspert për rajonin e gjirit në institutin “Brooking” në Nju Jork vlerëson se konfliktet gjithnjë e më të ashpra në Egjipt në mënyrë direkte dhe negative reflektohen në dobësimin e ekonomive të rajonit, por edhe të SHBA-ve. Hamid tregon se as politika aktuale e administratës amerikane ndaj garniturës qeverisëse në Egjipt nuk ka qenë konsistente, meqenëse presidenti Barack Obama fillimisht e ka përkrahur Hosni Mubarakun, e pastaj shpejt kërkoj largimin e tij.

Kriza në Egjipt, sipas AP-së, në Evropë ka ngritur çmimin e naftës në mbi 100 dollarë, kurse në SHBA një barel kushton rreth 90 dollarë. Tregtarët me karburante janë të shqetësuar se zgjatja e trazirave sociale në Egjipt, e posaçërisht zgjerimi i tyre në vende fqinje, mund të vështirësoj transportin e naftës nëpër Kanalin e Suezit. Egjipti nuk është prodhues i madh,por në mënyrë direkte kontrollon këtë kanal, përmes të cilit qarkullojnë tankerët me dy milionë barelë naftë të papërpunuar, drejt tregut të SHBA-ve dhe të Evropës.

Pos kësaj, mund të tronditet edhe tregu global i ushqimit. Këtu problem shtesë janë edhe trazirat kronike në Somali. Egjipti është importues i madh i grurit, kurse disa vende nga rajoni, si Arabia Saudite dhe Algjeria tanimë kanë paralajmëruar se mund të rrisin importin e drithërave, ashtu që të krijojnë më shumë stoqe dhe të evitojnë mungesën e rastësishme të tyre. Çmimet e ushqimit në treg, madje edhe para trazirave në Tunizi dhe në Egjipt, janë rritur dhe po i afrohen nivelit rekord.

Në këto rrethana fitim do të kenë prodhuesit e ushqimit dhe të naftës. Por, problemi qëndron aty se numri i vendeve që mund të fitojnë nga konjuktura në tregun e naftës dhe të ushqimit është shumë më i vogël në krahasim me ato që janë të rrezikuara nga kjo situatë, thuhet në një analizë të ekspertëve të OKB-së. /Telegrafi/