Telegrafi

Përfitoi rreth 100 mijë euro përmes mashtrimit me prona, arrestohet 41 vjeçari në Prishtinë

Policia ka arrestuar sot një person me inicialet E.C. (41), pasi dyshohet se i njëjti ka mashtruar të paktën shtatë persona dhe ka përfituar rreth 99,500 euro, duke u premtuar të njëjtëve shitjen e pronës në një paralagje të Prishtinës.

Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se Policia e rajonit të Prishtinës, respektivisht, njësiti i hetimeve të stacionit policor Qendra, ka arrestuar një të dyshuar për veprat penale mashtrim, falsifikim dokumenti, si dhe legalizim i përmbajtjes së rreme.

“Sipas informacioneve të deritanishme, janë ngritur dyshimet se, i dyshuari duke prezantuar rrethana të pavërteta ka arritur të mashtrojë së paku shtatë persona dhe të përfitoj nga viktimat rreth 99.500 euro, duke u premtuar të njëjtëve shitjen e pronës në një paralagje të Prishtinës”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.

I njëjti përmes mashtrimit dhe falsifikimit dyshohet të ketë lidhur disa kontrata shitblerjeje me palë të ndryshme vlera e të cilave arrin qindra mijëra euro.

“Që nga marrja e informacioneve të para më datë  16.11.2021, njësia e hetimeve të stacionit policor Qendra, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka kryer veprime hetimore dhe veprime të tjera operative që rezultuan me identifikimin, kapjen dhe arrestimin e të dyshuarit E.C. 41 vjeç, mashkull, shtetas i republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se “i dyshuari u arrestua sot nga ana e policisë  nën dyshimin për veprat penale të sipër cekura”.

Sipas Policisë, janë identifikuar dhe janë në kërkim policor edhe dy të dyshuar të tjerë që dyshohet të jenë të implikuar në rastin e njëjtë.

“I dyshuari me aktvendim mbi ndalimin e personit të arrestuar, të nxjerrë nga ana e prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje prej 48 orësh, si vijimësi e fazave të mëtejme të procesit hetimor”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/