Telegrafi

Përfitimet e trajtimit të hershëm ortodontik

Dr.Artur Dema,
Stomatolog

Çështje si dhëmbët e protruduar si pasojë e thithjes së gishtit apo një mbyllje jo e rregullt e nofullave si pasojë e një pozicioni jo të zakonshëm fjetjeje, i përgjigjen shumë mirë trajtimit të hershëm.

Vlerësimi i hershëm bën të mundur një diagnozë të hershme duke rritur shanset për një trajtim efektiv. Ky trajtim i hershëm drejton rritjen dhe zhvillimin e fëmijës duke parandaluar probleme serioze në një moshë më të rritur. Edhe në qoftë se ndërhyrja ortodontike nuk është e nevojshme, mjeku ka mundësinë të monitorojë rritjen dhe të trajtojë në kohën ideale.

Përfitimet e trajtimit të hershëm:
• shans më i madh për një rezultat afatgjatë
• reduktimi i riskut për t’iu nënshtruar kirurgjisë ortognatike
• ulje e riskut për të hequr dhëmbë të përhershëm
• ulja e riskut të thyerjes së dhëmbëve të protruduar
• rritja e vetëbesimit të fëmijës

Pse mosha 7 vjeçare konsiderohet si koha optimale për ekzaminim?
Në moshën 7 vjeçare dhëmballa e parë e përhershme erupton duke vendosur lartësinë e kafshimit. Në këtë kohë ortodonti mund të vlerësojë raportet ndërmjet dhëmbëve duke pasur mundësinë të parashikojë ndryshimet.

Pra, sa më herët të kryhet trajtimi, aq më e shpejtë është përgjigjja dhe aq më shpejt hiqen braketat. Trajtimi ortodontik zakonisht ka shumë stade, por kur në një pacient të ri trajtimi primar është shumë i suksesshëm, na lejon që trajtimi sekondar të jetë minimal.

E rëndësishme është ta përgatisni fëmijën pa krijuar ankth të panevojshëm. Më e rëndësishme është të siguroheni që fëmija juaj të kuptojë çfarë duhet të presë gjatë trajtimit.

Gjithashtu, konsideroni një shpërblim për ta në trajtimin e parë, në mënyrë që ata të jenë sa më të motivuar për vizitat e ardhshme. /Telegrafi/