Site icon Telegrafi

Përfitimet e mëdha shëndetësore të kafesë së gjelbër

Kafeja e gjelbër është e pasur me antioksidantë, përmirëson disponimin dhe përqendrimin, stimulon metabolizmin

 

Elmedina Ukshini
Terapiste e ushqimit
Tel. 045953110

Kafeja e gjelbër, e njohur ndër propaganduesit e shëndetit për përfitimet e saj të rëndësishme shëndetësore, është në rritje vitet e fundit.

Kafeja, të cilën një numër i madh njerëzish e konsumojnë çdo ditë, vjen nga këto kokrra, por ajo piqet para se të përpunohet dhe shitet. Ekstrakti i kafesë së gjelbër gjithashtu shijon më ndryshe se kafeja e pjekur.

Kokrrat e kafesë jeshile janë thjesht kokrra kafeje të papjekura. Domethënë ato janë ashtu siç janë të nxjerra nga bima. Kjo do të thotë se ruhen disa veti që humbasin gjatë procesit të pjekjes. Për shembull, kur kokrrat e kafesë piqen, humbasin disa kimikate të dobishme si p.sh. acidi klorogjenik.

Kafeja e gjelbër ka një nivel më të lartë të këtij acidi në krahasim me kafenë e pjekur. Kjo nënkupton që përfitimet shëndetësore janë më të mëdha në kafenë jeshile.

Kjo është arsyeja pse ky lloj drithi është bërë kaq i popullarizuar, veçanërisht pas një prej programeve të Dr. Oz-it i cili vuri në dukje vetitë e saj për humbje peshe.

Kafeja jeshile djeg yndyrën shumë më shpejt sesa kafeja e pjekur. Prandaj, kafeja jeshile mund të përdoret për të zgjidhur problemin e obezitetit dhe mbipeshës, por kësaj duhet t’i shtojmë edhe vetitë e pafundme që ka kafeja e pjekur.

Një filxhan me kafe të pjekur, fillon veprimin e saj pas 30 minutash dhe efekti zgjat vetëm disa orë. Ndërkohë kafeja e gjelbër, i lëshon enzimat e kafeinës gradualisht duke ruajtur mukozën e stomakut, si dhe qëndron më gjatë në gjak.

Siç ndoshta e dini tashmë, kafeja është e pasur me antioksidantë. Dy më të rëndësishmet janë: kafeina dhe acidi klorogjenik.

Pas pjekjes së kokrrave, kafeja humbet një pjesë të madhe të këtyre përbërësve, kështu që, megjithëse ka një efekt pozitiv edhe në humbjen e peshës, kokrrat jeshile dhe të papërpunuara e bëjnë këtë shumë më mirë.

Kafeina që është e pranishme në kafenë e gjelbër (me një përqindje më të vogël se në kafenë e pjekur), ndihmon dhe në përqendrimin dhe rigjallërimin e trupit, falë përthithjes së shpejtë nga organizmi.

Acidi klorogjenik besohet të jetë përbërësi kryesor aktiv në kokrrat e kafesë së gjelbër. Është një substancë që çon në humbje peshe dhe ka një efekt pozitiv në metabolizëm.

Veti të tjera shëndetësore të kafesë së gjelbër

Shumë studime kanë konfirmuar se kafeja e gjelbër përmirëson aftësinë për të mësuar, si dhe fuqinë e arsyetimit. Rrit vigjilencën mendore dhe forcon përqendrimin. Gjithashtu ndihmon në uljen e numrit të gabimeve dhe rrit perceptimin.

Acidi klorogjenik nga kafeja jeshile pengon një enzimë që stimulon prodhimin e glukozës në mëlçi. Prandaj, kafeja jeshile ka një efekt pozitiv në çrregullimet e glikemisë si diabeti (Journal of American Science).

Në raport me kafen e pjekur, kafeja e gjelbër përmban më pak acid, si rrjedhojë është më pak e dëmshme për mukozën e stomakut.

Mund të ketë një efekt pozitiv në hipertensionin e lehtë. Hulumtimet në Japoni (Kao Corporation of Tokyo) e kanë konfirmuar këtë.

Pirja e kësaj kafeje parandalon dëmtimin e flokëve, duke e bërë më të fortë dhe më të shëndetshëm. Madje mund të luftojë alopecinë, ose tullacërinë, sepse mund të stimulojë rritjen e flokëve.

Acidi klorogjenik shoqërohet me reputacionin e një antioksidanti super të fortë, i cili përmirëson funksionin e mëlçisë, përmirëson tretjen dhe përmirëson funksionimin e përgjithshëm të trupit.

Në përgjithësi, të gjithë antioksidantët e fortë reduktojnë rrezikun e tumoreve dhe sëmundjeve të zemrës.

Ashtu si kafeja e zakonshme, edhe kafeja e gjelbër duhet të merret me moderim dhe gjithmonë duke marrë parasysh situatat specifike shëndetësore të çdo konsumatori. /Telegrafi/

Exit mobile version