Përfaqësuesja e Maltës në Eurovizionin e ardhshëm, Miriana Conte, është përballur me një kërkesë të papritur nga Unioni Evropian i Transmetuesve (EBU) për të ndryshuar tekstin e këngës së saj.
Përkatësisht, shtatë ditë para se ajo të dorëzonte zyrtarisht këngën, EBU i kërkoi asaj që të hiqte fjalën “kant” nga teksti. Fjala “kant”, që do të thotë të këndosh në malteze, ka një konotacion vulgar në anglisht, që është arsyeja e këtij ndryshimi.
Miriana ka reaguar në rrjetet sociale duke thënë: “Aktualisht jam duke xhiruar videoklipin zyrtar të këngës ‘Kant’, duke jetuar fjalë për fjalë jetën time më të mirë. Sapo u informuam se EBU ka vendosur që nuk mund të përdor fjalën malteze ‘kant’ në këngën time të Eurovizionit. Edhe pse jam e shokuar dhe e zhgënjyer, veçanërisht pasi kemi më pak se shtatë ditë për të dorëzuar këngën, ju premtoj se nuk e kam bërë shfaqjen”.
Ky rast nuk është shembulli i vetëm i EBU-së që kërkon ndryshime në tekstin e këngës, por është interesant fakti se një fjalë që ka një kuptim të mirë në gjuhën origjinale është bërë problematike në një gjuhë tjetër.
Kënga Kant u bë hit para se të zgjidhej në konkursin kombëtar maltez të Eurovizionit. Edhe pse EBU mori këtë vendim, shumë fansa dhe kolegë shprehën mbështetjen për Mirianën.
Mes tyre është edhe përfaqësuesja finlandeze Erika Vikman, e cila komentoi: “Kant do të jetë përgjithmonë në zemrat tona”.
Gjithashtu, shumë u shprehën të pakënaqur për këtë vendim, duke pretenduar se EBU po shkel rregullat e veta duke ndaluar përdorimin e gjuhës së vendit të interpretuesit.
“Sido që të vendosin, publiku në Bazel do të bërtasë Kant”, është një nga komentet e shumta që ka dalë në rrjetet sociale, duke treguar mbështetje për Mirianën dhe këngën e saj. /Telegrafi/