Në këto çaste ka filluar takimi i komisionerit Johannes Hahn dhe nënkryetares së Parlamentit Evropian Ulurike Lunaçek, me liderët e pesë partive politike në Kosovë (PDK, LDK, VV, AAK dhe NISMA).
Takimi është duke u mbajtur me dyer të mbyllura, ku mediat nuk janë lejuar të marrin as pamje nga fillimi i takimit.
Në takim po marrin pjesë Kadri Veseli nga PDK, Isa Mustafa nga LDK, Visar Ymeri nga VV, Ramush Haradinaj nga AAK dhe Jakup Krasniqi nga Nisma.
Hahn ka ardhur sot për vizitë zyrtare në Kosovë, kurse eurodeputetja Lunaçek është në Kosovë që nga dje. Të dy përfaqësuesit e lartë evropianë, kanë pasur një agjendë të ngjeshur, ku kanë takuar përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës, raporton KosovaPress.
————————————————————————–
Përfaqësuesit e opozitës arrijnë në takimin me Hahnin
Tre përfaqësuesit e opozitës kanë ardhur në tryezën që komisioneri Johannes Hahn dhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulurike Lunaçek, do të mbajnë me liderët e pesë partive politike në Kosovë (PDK, LDK, VV, AAK dhe NISMA).
I pari që ka arritur në takim ishte lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. Pas tij ka ardhur kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, dhe i fundit përfaqësuesi i Nismës, Jakup Krasniqi. /KP/