Përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, Xhemë Veseli, drejtor i Departamentit të Transportit Tokësor, dhe Ramë Qupeva, drejtor i Departamentit të infrastrukturës rrugore, kanë nënshkruar në Munih të Gjermanisë, letrat e interesit për zhvillimin dhe funksionalizimin e korridoreve hekurudhore dhe rrugore Prishtinë – Beograd si dhe lidhjen me korridoret pan-Evropiane.
Veseli pas nënshkrimit, u shpreh se ky është hap i rëndësishëm për funksionalizim e rrjetit hekurudhor në tërë Kosovën si dhe lidhjen e Kosovës me korridoret hekurudhore ndërkombëtare.
“Me këtë i hapet rruga zhvillimit të sektorit hekurudhor sipas standardeve evropiane si dhe lidhjes së hekurudhave të Kosovës me korridoret ndërkombëtare”, tha Veseli.
Drejtori Qupeva, në anën tjetër, theksoi rëndësinë e këtyre projekteve për qytetarët e Kosovës.
“Këto projekte strategjike janë parakusht për një zhvillim më të hovshëm ekonomik dhe për shkurtimin e kohës së udhëtimit të udhëtarëve dhe të mallrave në tërë Evropën Juglindore e më gjerë”, tha Qupeva.
Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve është bërë me ndërmjetësimin e SHBA-ve, konkretisht nga i dërguari i posaçëm i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell.
Të pranishëm në nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve ishin edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrës Serbe për Kosovën Marko Gjuriq. /Telegrafi/