Site icon Telegrafi

Përfaqësuesit e minatorëve pensionistë falënderuan kryetarin Bahtiri për mbështetje

Kryetar i Komunës, Agim Bahtiri, priti përfaqësuesit e Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve të Parakohshëm të “Trepçës”, me në krye Ramadan Ademin, me të cilët kishin ardhur për ta falënderuar për bashkëpunimin e ndërsjellë dhe për mbështetjen e vazhdueshme që ky ju ka dhënë sindikalistëve të “Trepçës” në vazhdimësi.

“Ne kryetar sot kemi ardhur për të të falënderuar për mbështetjen që kemi pas nga ju që kur keni ardhur në krye të komunës. Të gjitha kërkesat që i kemi parashtruar tek ju, kanë hasur në mirëkuptim, aq sa ju kanë lejuar mundësitë e kufizuara buxhetore, duke na mundësuar kështu realizimin e projekteve që i kemi planifikuar. Për këtë arsye jemi këtu dhe në shenjë mirënjohje e respekti ju dhurojmë këtë fotografi të Mitrovicës së vjetër, të punuar në dru”, tha kryetari Ademi.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, pasi falënderoi përfaqësuesit sindikal të pensionistëve të “Trepçës”, për falënderimet, dhuratën dhe kujdesin e treguar, tha se ajo që ka bërë për punëtorët e “Trepçës”, nuk është asgjë në krahasim me punën dhe kontributin që ata kanë dhënë për zhvillimin e Mitrovicës dhe të Kosovës, por për çështjen kombëtare në përgjithësi.

“Për ish punëtorët e Trepçës, por edhe ata që sot punojnë, nuk kursej asgjë. Por, për shkak të buxhetit të limituar dhe kërkesave të shumta të qytetarëve, ndihma nuk ka qenë aq sa do të duhej për minatorët e Trepçës. Sidoqoftë, edhe me këtë rast dua të ju garantoj se deri sa të jem në krye të Komunës, mbështetja ime për sindikatën tuaj dhe për minatorët e Trepçë, kurrë nuk do të mungoj”, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri./Telegrafi/

Exit mobile version