Lista e Lëvizjes Vetëvendosje, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate nuk është certifikuar nga KQZ-ja. Kjo për shkak se këto parti nuk kanë larguar kandidatët që kanë pasur dënime.
Ndërsa Nisma Socialdemokrate nuk është certifikuar nga Komisioni Qendror Zgjedhor as si subjekt politik.
Eshref Vishi përfaqësues i Nismës Socialdemokrate, vendimin e KQZ-së për mos certifikim të subjektit politik që ai përfaqëson dhe listës së kandidatëve për deputetë e ka quajtur politik.
“Vendimi për certifikim të subjekteve politike dhe listave të kandidatëve ishte politik dhe tendencioz ndaj subjektit Nisma. Nuk është përgjegjësi e anëtarëve të KQZ-së të shqetësohen për përmbajtjen e listës së subjektit politik. Është e drejtë e tyre të votojnë në bazë të rekomandimeve të Zyrës për regjistrimin e partive politike, por u pa që as rekomandimet e zyrës nuk u përfillen, por as fjalimet tona lidhur me respektimin e procedurave ligjore. Ne do të ankohemi në bazë të ligjit”, tha ai.